Lajmet e fundit

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se Serbia po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të parandaluar pranimin e Kosovës në UNESCO.
Ai ka bërë me dije se gjatë mesnatës së të martës për këtë temë do të diskutojë edhe me kryeministrin e një vendi nga i cili do të kërkojë mbështetje.
"Sonte në orën 1:30, për shkak të diferencës kohore do të bisedojë me kryeministrin e një vendi nga i cili do të kërkojë mbështetje, ata e njohin Kosovën, por tani qeveria e re e këtij vendi ka shqyrtuar vendimin e qeverisë së kaluar dhe unë shpresoj se mund t`i bindim ata," tha Vuçiq.
I pyetur në lidhje me pritjet e tij, përpara votës së nesërme mbi kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO, ai tha se "shanset tona nuk janë të mëdha në Këshillin Ekzekutiv, janë shumë më të mëdha në Konferencën e Përgjithshme."
Ai ka thënë ndër të tjera se nuk është fundi i botës dhe se vendi i tij do ta vazhdojë luftën rreth kësaj çështjeje.
Sipas Vuçiqit, hyrja e Kosovës në UNESCO është e papranueshme për Serbinë, ndërsa është gjë e keqe për manastiret serbe, raporton Tanjug, përcjellë Klan Kosova.