Lajmet e fundit

Serbia po e pret Kosovën që ta hedh hapin e parë të lobit në arenën ndërkombëtare, për ta filluar fushatën për çnjohje, pas përfundimit të moratoriumit njëvjeçar të nënshkruar në Uashington.
Më 4 shtator 2020, ish-kryeministri kosovar Avdullah Hoti e presidenti serb Aleksandër Vuçiq nënshkruan dy zotime të ndara se shteti i të parit nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse ai i të dytit të ndalojë së kërkuari nëpër botë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Nuk dihet zyrtarisht nëse këtë marrëveshje e ka shkelur Beogradi zyrtar, por Vuçiq thotë ka vende që janë të gatshme t'i tërheqin njohjet, posa Prishtina të aplikojë diku për anëtarësim.
Madje parasheh të krijojë barriera edhe në INTERPOL dhe UNESCO, por e pranon se në Këshillin e Evropës, Kosova gëzon mbështetje.
"Në INTERPOL dhe UNESCO ne do t'i mundim ata. Në Këshillin e Evropës, shumë e vështirë për ne. Por, kandidimi i tyre i parë zyrtar do të na e hapë derën dhe më pas ne do t'u tregojmë atyre se nuk mund të rrimë duarkryq, e mund të veprojmë me përgjegjësi dhe reciprocitet", deklaroi Vuçiq për TV Prva.
Planet e Kosovës për anëtarësim në këto tri organizata, Vuçiq i përmendi edhe në forumin e Bledit në Slloveni, gjë që e quajti shkelje të ujdisë së Washingtonit.
Gjasat më të mëdha për triumf janë në Këshillin e Evropës, në të cilin për Kosovën raporton Peter Beyer. Nëse aplikohet, thuhet se anëtarësimi këtu është i sigurt. Por nga pala kosovare nuk është treguar deri më tash nëse ka ndonjë plan strategjik për aplikim në këto organizata.
Përgjatë një viti të plotë nuk pati lëvizje zyrtare që mund të cilësohen shkelje të zotimeve të bëra në zyrën ovale, ani se qeveria aktuale gjithë ujdinë e Shtëpisë së Bardhë e ka cilësuar si të pavlerë. Departamenti Amerikan i Shtetit po kërkon që kjo situatë të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që procesi i dialogut të mos ketë pengesa.