Lajmet e fundit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se do që Serbia të jetë një vend i rregulluar dhe i njerëzve të pasur krahasuar me atë që ka qenë në të kaluarën dhe atë që janë sot.
“Mendoj se kemi marrë masa të rëndësishme dhe mbase edhe për publikun shqiptarë është domethënëse ta dinë se në vitin 2014 kemi qenë shumë afër falimentimit. Politikanët gjithmonë akuzojnë paraardhësit, por ne kishim disa hapa të pamatur të koalicioneve të cilët kishin rritur pensionet dhe pagat pa bazë ekonomike dhe kjo na kishte vënë në një situatë të vështirë. Jemi detyruar të bëjmë reforma të vështira, të sjellim ligj të ri mbi punën, masa të rregullimeve fiskale dhe ta zvogëlojmë mbi dy herë numrin e papunësisë dhe këtë e kemi arritur tani në vendin tone”, ka thënë Vuçiq, njofton Klan Kosova.
“Kemi arritur që për tre vjet me radhë të kemi suficit në buxhet dhe siç e dini, kemi pasur rritje ekonomike në pjesën e parë prej 4,5 për qind, por edhe të ulim borxhet publike në 77 për qind dhe besoj se deri në fund të vitit do të jetë më pak se 50 për qind. Këto janë disa prej gjërave të mira, por ajo që nuk është e mirë është fakti se njerëzit ende jetojnë vështirë dhe se pagat sado që janë përmirësuar muajt e fundit ende janë të ulëta dhe do kemi rritje deri në fund të vitit, por kjo nuk mjafton për një jetë të pasur”, ka thënë Vuçiq në intervistën për televizionin Klan.
“Në çdo rast për këtë është e rëndësishme ti afrohemi Evropës, që më shpejt të arrijmë standardet evropiane dhe atëherë jam shumë i bindur se do të kemi një rezultat të kënaqshëm që e dëshirojmë”.
Vuçiq ka theksuar se është ndryshe prej shumë liderëve të mëdhenj serbë të shekujve të shkuar.
“Mund të them se serbët mbajnë mend ata që kanë marrë pjesë në kryengritje të mëdha, në luftëra, fitore dhe humbje, kurse unë do të doja ose të mos mbahem mend fare ose të më mbajnë mend për atë që nuk kemi pasur asnjë luftë dhe asnjë konflikt, por që kjo të shfaqet përmes rritjes ekonomike dhe progresit”./Klan Kosova/