Lajmet e fundit

Një shtetas shqiptar mësohet se ka mbetur viktimë teksa luftonte krah xhihadistëve të ISIS-it, në Siri. Viktima raportohet se është shtetasi Dorian Kuqi nga Pogradeci.
Lajmi konfirmohet nga vetë familjarët e të ndjerit, të cilët kanë hapur dyert e mortit. Dorian Kuqi ishte 25 vjeç dhe mësohet se kishte shkuar në Siri që në vitin 2013, ku luftonte përkrah xhihadistëve të Shtetit Islamik. Kuqi ishte nga fshati Rëmenj i Pogradecit, vetëm 1 km larg qytetit.
25-vjeçari dyshohet se merrte leksione nga imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla, i cili akuzohet për përhapje të terrorizmit dhe për rekrutim të xhihadistëve.
Lidhur me lajmin për vdekjen e të riut shqiptar u shpreh edhe imami i fshatit, i cili deklaron se bashkë me të ndjerin në Siri kishte shkuar edhe një djalë tjetër.
“Jemi shumë të tronditur nga ngjarja. Nuk dinim gjë, lajmin e mësuam në media. Bashkë me Dorianin kishte ikur dhe një djalë tjetër në Siri. Ne i mësojmë të mos gënjehen nga këto kauza”, deklaroi Imami Hasimllari.
Në qershor të këtij viti një tjetër shtetas nga Pogradeci u akuzua si xhihadist, i cili luftonte krah ISIS-it në Siri. Almir Daci nga fshati Leshnicë i Pogradecit, ndodhet në kërkim ndërkombëtar prej dy vitesh.
Veprat për të cilat akuzohet Daci janë: “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”, “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e krimeve me qëllime terroriste, nxitje të urrejtjes apo konfliktit nacionale, racore apo fetare”/Shekulli.al