Lajmet e fundit

Në fshatin Strellc të Epërm të Komunës së Deçanit ka ndodhur një tragjedi, ku një fëmijë ka humbur jetën pas një breshëri plumbash në drejtim të një “Fast Food-i”.
Policia e Pejës me anë të një komunikate për media ka konfirmuar vdekjen e një personi mashkull të moshës minore.
“Policia e Kosovës pranë DRP Pejë, me datën 23.12.2015 ,në ora 16:15 është informuar nga qytetarët se në sheshin” Ismet Ukaj “ të fshatit Strellc i Epërm komuna e Deçanit, ka të shtëna me armë zjarri, me ç’rast një fëmijë ishte qëlluar nga breshëritë e armës automatike AK 47 dhe të njëjtin e kishin dërguar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për t’i ofruar ndihmën mjekësore,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia jep detaje rreth procesit të hetmit dhe identifikimin e të dyshuarve për krimin e bërë.
“Mjeku kujdestar rreth orës 16:37 ka konfirmuar se viktima fëmijë Y.M. , i moshës 9 vjeçare kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve nga arma e zjarrit.”
“ Falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe pas një pune të shpejtë operativo – hetimore është arritur të identifikohet mjeti i tipit xhip “Frontera” me targa të regjistrimit në Kosovë si dhe personi i dyshuar i mundshëm , që kishte shkuar me ketë mjet në afërsi të lokalit ‘ Doneri Jon’ dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të këtij lokali , në bendin e të cilit kishte qenë ky fëmijë dhe disa persona tjerë,” thuhet në komunikatën e policisë njofton Klan Kosova.