Lajmet e fundit

Vrau për një plep dhe tani rrezikon burgimin e përjetshëm.
Kjo është masa e dënimit që kërkoi prokuroria e Kavajës në Shqipëri në përfundimi të gjykimit kundër Xhevat Saraçit, i akuzuar për vrasje, njofton Top Channel.
Prokuroria ka ndërtuar mekanizmin se si u vra Ismet Xhani dhe u tentua të vritej dhe një person tjetër.
Në datën katër janar thotë prokuroria, viktima dhe kushëriri i tij po prisnin një plep në fshatin Luz i madh në Kavajë ku edhe banonin.
Në atë moment pranë tyre është afruar autori Xhevat Saraçi, i cili fillimisht ka kërkuar mos ta prisnin pemën dhe më pas ka shtuar që dy bashkëfshatarët e tij mos t’i hidhnin degët në tokën e tij.
Ndërsa i afërmi i viktimës, Mario Xhani, këmbëngul se plepi ka qenë molla e sherrit, vrasësi i cili është shfaqur i penduar ka rrëfyer në Gjykatë se ka humbur qetësinë pasi dy bashkëfshatarët e tij e kishin ofenduar.
Prokuroria shpjegon në pretencë se gjatë kohës që viktima dhe Mario Xhani po kalonin me karrocën e ngarkuar me dru në rrugën kryesore të lagjes, autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.