Lajmet e fundit

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë. Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet. Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë, shkruan TCH, përcjellë Klan Kosova.