Lajmet e fundit

Policia e Shkodrës ka arrestuar Miklovan Parubin, autorin e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjen e 4 të tjerëve, në Dajç.
Ai është arrestuar pranë banesës së tij dhe nuk ka bërë rezistencë. Që prej mesnatës së kaluar, policia ishte në kërkim të 33-vjeçarit.
Sipas policisë shkak për krimin e dyfishtë dyshohet se është bërë një lojë pokeri. Autori hyri në lokal me një kallashnikov rreth orës 23:00 duke qëlluar në drejtim të 10 personave, që ndodheshin aty.
Si pasojë e breshërisë mbetën të vdekur në vend Arjet Saiti 42-vjeç, pronar i lokalit ku ndodhi masakra dhe Gacalin Kopshti 30-vjeç. Të plagosur janë Aleks Prendi, Ndoc Markaj, Vinçens Kopshti vëllai i njërit prej viktimave dhe Kidas Molla. Këta persona ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Me të gjithë këta persona Parubi kishte njohje.
Miklovan Parubi njihet si person problematik dhe përdorues i lëndëve narkotike në këtë zonë . Shpesh herë ai kishte luhatje të mëdha emocionale dhe bën pjesë në kontigjentin kriminal të evidentuar nga policia.
Policia po ruajnë të afërmit e autorit të krimit pas frikës se ngjarje e të hënës mund të pasohet nga një hakmarrje e familjeve të personave që humbën jetën.
Nga marrja në pyetje e dëshmitarëve Parubi ka hyrë në lokal duke thënë se “do t’i vriste të gjithë”. Disa kanë mundur të dalin nga dritaret dhe hyrja e pasme e lokalit, duke shmangur në këtë mënyrë një bilanc më tragjik./tvklan.al