Lajmet e fundit

Dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Elton Çiçës, përveç provave të tjera, janë lokalizuar edhe nga telefonat celularë.
Jani Alia, i dyshuar si ekzekutor dhe Renato Milloshi, si bashkëpunëtor i tij, pasi u identifikuan nga pamjet e kamerave të sigurisë, nga targat e makinës e nga dëshmitarët, rezultuan se kishin qenë në zonën e lokal “De Niro” në kohën kur ndodhi vrasja e Elton Çiçës më 1 maj.
Ky fakt u provua me verifikimin e vendndodhjes së celularëve të të dyshuarve në kohën e kryerjes së krimit, tha një burim i Prokurorisë.
Nga ana tjetër, dy personat në kërkim, sipas Policisë, nuk e kanë kaluar kufirin shqiptar. Nga shënimet në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, asnjëri prej tyre nuk figuron të ketë lëvizur jashtë territorit.
Burimet thonë se, edhe në rrugë operative, janë siguruar informacione se ata ndodhen në Shqipëri.
Kjo edhe për shkak se Jani Alia është person në kërkim nga autoritetet greke dhe rreziku që ai të arrestohet edhe jashtë vendit është shumë i madh.
Sipas Policisë, deri disa ditë para se të bëhej zyrtarisht shpallja në kërkim e dy të dyshuarve, ndonëse nuk ishte arritur të shoqëroheshin për t’u marrë në pyetje, ata mbaheshin në vëzhgim në rrugë operative, raporton Panorama, përcjellë Klan Kosova.