Lajmet e fundit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni është pritur sot në një takim zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm Jurgen Stock, në selinë e INTERPOL-it në Lyon të Francës.
Hyseni dhe Stock kanë zhvilluar një bisedë të gjatë dhe përmbjatësore lidhur me aplikimin për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.
Bëhet e ditur se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit të mbajtur nga 31 maj – 2 qershor të këtij viti kishte vendosur që kërkesën për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës ta përfshijë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Peking të Kinës nga 26-29 shtator.
Gjatë takimit, Stock dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Kosovës në Francë Qëndrim Gashi, trajtuan edhe shumë çështje tjera të bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejt midis INTERPOL-it dhe institucioneve të rendit dhe ligjit në Kosovë, mbi të gjitha me Policinë e Kosovës, transmeton Klan Kosova.