Lajmet e fundit

Virusi Zika është zbuluar në një majmun në Ugandë në vitin 1947, ndërsa rasti i parë në njeri është regjistruar në Nigeri në vitin 1954, transmeton Klan Kosova.
I lindur nga mushkonja, virusi ka qarkulluar në Afrikë dhe Azi për dekada të tëra dhe së voni në rajonin e Paqësorit, por asnjëherë nuk ka shkaktuar shumë shqetësim.
Por shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan tha se situata sot është krejtësisht ndryshe.
Virusi po përhapet vrullshëm, pasi është zbuluar në Brazil vitin e kaluar, ka shtuar Chan. Sipas saj, “niveli i alarmit është jashtëzakonisht i lartë”.
Chan ka bërë thirrje për një takim urgjent më 1 shkurt për të diskutuar “masat që duhet të ndërmerren në vendet e prekura dhe gjetkë”.
Infeksione me virusin Zika tashmë po ndodhin në rreth 20 shtete dhe territore në Karaibe dhe Amerikën Veriore e Jugore.
Virusi Zika është zakonisht asimptomatik, çfarë do të thotë se personi i infektuar nuk ka simptome, ose shkakton sëmundje të buta që normalisht zgjasin deri në një javë dhe kanë simptome si të gripit.
Por Lawrence Gostin, nga Instituti O’Neill për Shëndet Kombëtar dhe Global në Uashington, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shqetësimi më i madh tani është se virusi, i cili, sipas tij, ka potencial të shpërthimit pandemik, dyshohet se rezulton me anomali fetale.
Shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Chan, ka nxjerrë në pah shqetësimin se Zika ka lidhje me defekte në lindje, të njohura si mikrocefali, kur foshnjat lindin me koka jonormale të vogla.
Mushkonja Aedes, e cila transmeton virusin Zika, ndodhet në gjithë botën dhe paraqet rrezik të lartë për transmetim global në zonat gjeografike me imunitet të vogël të popullsisë.
Brazili, i cili organizon Lojërat Olimpike Verore në Rio de Zhaneiro në muajin gusht, është goditur më së keqi nga shpërthimi – me më shumë se një milion raste të raportuara.