Lajmet e fundit

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se debati për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është polarizuar së tepërmi.
"Debati për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit është polarizuar së tepërmi. Shumë vëzhgues pajtohen se arsyeja nuk qëndron aq shumë tek përmbajtja e marrëveshjes, por që në sfond të kësaj ka shoshitje që ndërlidhen me pushtetin politik. Marrëveshja për demarkimin e kufirit, e arritur pas plot tre vjet pune është shqyrtuar disa herë"
" Kjo ndër tjerash është bërë edhe nga grupi e ekspertëve ndërkombëtarë, të angazhuar nga Presidentja e mëparshme Jahjaga, në mesin e të cilëve ka marrë pjesë edhe një ekspert gjerman me renome, Dr. Wilmes. Një shqyrtim tjetër ka pasuar rishtazi nga një komision i ngritur nga qeveria, në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe Përfaqësuesja Speciale BE-së për Kosovën, e po ashtu edhe Ambasadori i SHBA-së"
" Përfundimi i qartë i të gjitha shqyrtimeve ka qenë që Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit, e cila tashmë është ratifikuar nga ana e Malit të Zi, ka qenë korrekte. Veç kësaj Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit është një marrëveshje ndërkombëtare që e forcon statusin e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Do të dëshironim shumë për qytetarët e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejtë dhe që me këtë të eliminohej pengesa kryesore në rrugën drejt liberalizimit të vizave" ka thënë ajo në një intervistë për RTKlive.
Ambasadorja gjermane poashtu ka deklaruar se definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Republikës së Kosovës.
Sipas saj, çdo ndryshim për transformimin FSK-së në ushtri, do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët. Kurse sa i përket zgjedhjeve të reja, Viets ka thënë se koalicioni qeverisës e ka një shumicë stabile dhe me një konsensus të gjerë mund, apo do të mund të kryente detyrat e mëdha, të cilat Kosova duhet t’i kryej.
Ajo ka deklaruar se Gjermania është zotuar për ta mbështetur Kosovën me rreth 46 milionë euro për vitet 2016 dhe 2017 në zhvillimin e gjithanshëm të vendit.