Lajmet e fundit

Inistituti GAP ka vlerësuar se veturat e vjetra e ndotin ambientin më shumë se ato të rejat, kryesisht përmes lirimit më të madh të gazrave ndotëse, por edhe përmes efekteve tjera, si zhurma me intensitet më të lartë, krijimi më i madh i mbeturinave.
Ky inistitut në një raport analitik të publikuar në tetor të vitit 2015, thekson se ka argumentuar për ndërlidhjen ndërmjet vendimeve të qeverisë së Kosovës për importin e veturave dhe rritjen e vjetërsisë së veturave në qarkullim në Kosovë.
"Me heqjen e kufizimit të veturave nga tetë në 13 vite, e pastaj heqjen e tërësishme të këtij kufizimi, vjetërsia mesatare e veturave në qarkullim në rrugët e Kosovës është rritur nga 13 vite në 18 vite".
Sipas analizës së GAP, dy faktorë kryesorë ndikojnë që mosha e veturës të shkaktojë rritje të sasisë së ndotjes: së pari, veturat e vjetra mesatarisht kanë kaluar distancë më të madhe, rrjedhimisht motori dhe pajisjet për kontrollimin e gazrave (konvertorët katalitik) janë konsumuar; dhe, së dyti, zhvillimi i teknologjisë së prodhimit të veturave ka sjellë vetura më efikase si për nga konsumimi i karburanteve, po ashtu edhe për nga emetimi i ndotësve, transmeton Klan Kosova.