Lajmet e fundit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me deklaratat e Policisë së Kosovës me rastin e aksionit të tyre të ndërmarrë më 28 nëntor në selinë e Vetëvendosjes.
Policia në kumtesë potencoi se gjatë bastisjes së selisë së kësaj lëvizjeje kanë kërkuar nga kryetari Visar Ymeri dhe Aida Dërguti që të jenë prezent gjatë bastisjes, por ata e kanë refuzuar këtë.
Vetëvendosje konsideron se bastisja e selisë së partisë së tyre ishte e paligjshme.
"Para të niste bastisja, Kryetari i VETËVENDOSJE!-s Visari Ymeri dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Aida Dërguti kanë kërkuar nga policia që t’ua paraqes vendimin e gjykatësit për bastisje".
"Policia e Kosovës nuk ua ka paraqitur vendimin, dhe nuk u ka treguar se cili gjyqtar e ka marr këtë vendim. Rrjedhimisht, Policia e Kosovës po nisej për t’i bastisur zyrat tona, pa vendim nga gjykata".
"Prandaj, z.Ymeri dhe znj. Dërguti nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj bastisjeje të paligjshme" thuhet në reagimin e VV-së.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të Vetëvendosjes:
Ikja nga përgjegjësia e Policisë së Kosovës për veprimet, jo vetëm joproporcionale në kuptim të ligjit për policinë që është në fuqi, mirëpo armët dhe mjetet e përdorura janë jokonvencionale në raport me "objektivin e paraqitur" të policisë.
Nuk mund të flitet për proporconalitet kur godina e një subjekti politik bastiset, terrorizohet dhe nënshtrohet nga më se një mijë policë të armatosur me armë me tyta të gjata. Madje angazhimi i njësisë për operacione speciale për veprimtari anti-terroriste është shenja më e qartë e trajtimit të subjektit politik nga pushteti.
Njësiti Speciale Intervenuese, njësit ky që ka hyrë dhunshëm brenda zyrave të Lëvizjes, përdoret për eliminim dhe trajnohet si njësit i tillë. Për këtë arsye, armatimi që përdorin ata është i kalibrit të lartë.
Ky njësit është nën juridiksionin e Shpend Maxhunit, Drejtorit të Policisë së Kosovës, prandaj atë që ka dhënë urdhër për intervenim të tillë tashmë e dimë.
Fjalia e Policisë se "Nuk i kemi përdorë armët", jo se nuk është e vërtetë, por është trillim edhe në aspektin profesional, gjë të cilën Policia e Kosovës nuk do të duhej të bënte lëshime të tilla.
Madje, në kuptimin e përgjithshëm, gjë të cilin secili zyrtar i policisë e ka të njohur, që sulmi fillon nga momenti nxjerrjes së armës nga kallëpi apo pozita e saj neutrale.
Janë tani shumë incizime ku shihen pjesëtar të policisë me armë të gjata të drejtuara ndaj aktivistëve, dhe me tytat kanë goditur e kanë lënduar shumë aktivistë.
Në terrorizimin e objektit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ne kemi plagosje të aktivistëve nga plumbat e gomës, e që në kuptim të Kodit Penal janë kategori e veçantë të armëve (Neni 120).
Njësia Speciale Intervenuese ka thyer dyert e ndërtesës, pa asnjë mandat ligjor apo paralajmërim të pronarëve legjitim. Hyrja poshtë është e gjithë ndërtesës, jo vetëm e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Policia e Kosovës ka bastisur në mënyrë të paligjshme zyrat e Lëvizjes. Para të niste bastisja, Kryetari i VETËVENDOSJE!-s Visari Ymeri dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Aida Dërguti kanë kërkuar nga policia që t’ua paraqes vendimin e gjykatësit për bastisje.
Policia e Kosovës nuk ua ka paraqitur vendimin, dhe nuk u ka treguar se cili gjyqtar e ka marr këtë vendim. Rrjedhimisht, Policia e Kosovës po nisej për t’i bastisur zyrat tona, pa vendim nga gjykata.
Prandaj, z.Ymeri dhe znj. Dërguti nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj bastisjeje të paligjshme.
Gjatë bastisjeve janë demoluar zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe janë konfiskuar edhe serverët, ku janë të regjistruar të gjitha aktet çnjerëzore të këtyre njësive në videot nga kamerat e brendshme.
Ky konfiskim është bërë vetëm e vetëm që të fshihen veprimet e dhunshme policore brenda zyrave tona.
Ekspertët tanë të sigurisë por dhe të pavarur na kanë shpjeguar se çfarë është parë në zyrat tona është sulm i llojit luftarak e jo një intervenim arrestimi. /Telegrafi/