Lajmet e fundit

Lëvizja Vetëvendosje - Qendra në Gjermani, ka paralajmëruar protestë sot në Berlin në prag të Samitit të Ballkanit, njofton Klan Kosova.
Protesta do të mbahet sot para zyrës së kancelares së Gjermanisë në Berlin duke filluar nga ora 18:00.
Përmes një komunikate, Vetëvendosje paralajmëron se përqendrimi kryesor i vëmendjes në ketë temë do të jetë trajtimi i pazareve të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, të cilët i bashkon marrëveshja e tyre gjentelmene për rrudhjen dhe cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Më poshtë komunikata e plotë:
Me iniciativën e kancelarës gjermane Angela Merkel dhe presidentit françez, Emmanuel Macron nesër në Berlin do të mbahet një "Samit i Ballkanit Përendimor".
Sipas qarqeve diplomatike dhe shtypit ndërkombëtar një prej temave kryesore të këtij samiti do të jetë Republika e Kosovës. Kurse përqendrimi kryesorë i vëmendjes në ketë temë do të jetë trajtimi i pazareve të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, të cilët i bashkon marrëveshja e tyre gjentelmene për rrudhjen dhe cënimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Ku do mund të përfundonte një marrëveshje e till, e cila e ka pretekst herë "korrigjimin e kufijve" dhe herë "shkëmbimin territorial", na tregon sot shumë qartë shteti pothuajse jofunksional i Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ky plan nuk është i pari, të cilin Hashim Thaçi e ka përgatitur në bashkpunim me përfaqësues armiqësorë të shtetit të Serbisë karrshi Republikës së Kosovës dhe pas shpinës së popullit të tij. Këtu menjëherë vijnë në mend negociatat e tij me Serbinë, të cilat fillimisht u propaganduan si "bisedime teknike" dhe përfunduan me 23 shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Jo vetëm bashkëpunimi i tij me Serbinë për rregullimin dhe ndërtimin e themelëve të shtetësisë së Republikës së Kosovës e ka dëmtuar rëndë vendin tonë, nga i cilit që nga Shpallja e Pavarësisë 2008 ka ikur rreth 20% e popullatës, por edhe përfshirja e tij e mundshme në vepra kriminale, e dëshmuar shumë qartë në aferën "Pronto".
Këto fakte e delegjitimojnë dhe diskualifikojnë Hashim Thaçin si përfaqësues së Republikës së Kosovës. Ky konstatim vlenë sidomos në prag të samitit të nesërm në Berlin. Dhe kjo është arsyeja pse ne protestojmë fuqishëm kundër përfaqësimit të Republikës së Kosovës nga ky person dhe kundër pazareve të tij me Aleksandër Vuçiqin.
Koha ka kaluar kur në Evropë merren vendime jodemokratike përtej dhe në kundërshtim të vullnetit të qytetarëve. Në këtë frymë, Lëvizja VETËVENDOSJE! e përshëndet rezistencën e Gjermanisë kundër ndarjes apo copëtimit të Kosovës dhe i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t'i kundërvihet secilit sajim antidemokratik të Republikës së Kosovës në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe mbështetet në pazaret e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.