Lajmet e fundit

Sot në Prishtinë do të mbahet protestë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Protesta është thirrur nga qytetarët pas publikimit të përgjimeve telefonike midis udhëheqësve të lartë të PDK-së.
Këtij tubimi pritet t`i bashkohet edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Lexoni njoftimin e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje:
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet pa rezervë protestën e organizuar nesër nga shoqëria civile kundër krimit e korrupsionit shtetëror. Publikimi i bisedave të fundit telefonike midis krerëve të PDK-së, e ka dëshmuar në zë e në figurë kapjen e shtetit nga strukturat kriminale që gjenden në maje të piramidës shtetërore. Këto biseda po qartësojnë në mënyrë retroaktive edhe shkaqet e vendimeve të dëmshme që ka bërë kjo kastë pushtetarësh të kapur e të shantazhuar.
Reagimi qytetar kundër formave të ndryshme të padrejtësisë e shtypjes është shpresa e vetme për perspektivën e këtij vendi. Bashkimi gjithëpopullor kundër një grushti zaptuesish krijon forcën dhe energjinë e duhur për t’i hequr qafe ata. Tashmë secili zhvillimi po na nxjerrë para një dileme ekzistenciale: Ose ata, ose Kosova!; ose qytetarët, ose klani “Pronto”.
Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje gjithë anëtarësisë e qytetarëve t’i bashkohen kësaj proteste që është në interes të vendit. Ne nuk do të kursehemi të mbështesim nisma të tilla pavarësisht nëse jemi apo jo pjesë e organizimit.