Lajmet e fundit

Reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës, ku i quajti vandalë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka nxitur reagimin e kësaj lëvizjeje.
Vetëvendosje thotë se sikur PDK-ja të shqetësohej për Kosovën kaq shumë sa shqetësohet për aktivistët, shteti do t’i kishte punët më mirë.
“Partia që udhëhiqet nga kokat e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, së cilës përditë po i dalin përgjime që dëshmojnë kriminalitetin e saj, sot paska reaguar ndaj aktivistëve paqësorë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në komunikatën e saj PDK, udhëheqësit e së cilës po e falin tokën e Kosovës, paska shprehur shqetësim për pronat private të tyre. Sikur ky subjekt të shqetësohej kështu për territorin e Republikës sonë, Kosova sot do të ishte në gjendje shumë më të mirë”.
Sipas kësaj lëvizjeje, PDK-ja është në panik dhe po kërkon besimin e qytetarëve, ngase e ka kuptuar se askush më s’po iu beson.
“ PDK paska ftuar organet e sigurisë, të cilat janë nën kontrollin e po të njëjtëve kriminelë që e udhëheqin këtë subjekt, që të shtojnë shtypjen ndaj aktivistëve tanë dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes. Lëvizja i sheh këto reagime si panik e pushtetit në prag të rënies së tij dhe mendojmë që PDK ka të drejtë të ketë panik. Ajo po i lut qytetarët që të kenë besim në institucione pikërisht ngase e di që askush sot nuk i beson shtetit të kapur nga krimi”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.