Lajmet e fundit

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media duke akuzuar qeverinë aktuale se po qeverisë përmes skandaleve, njofton Klan Kosova.
“Kemi hyrë në muajin e 14-të të qeverisjes Haradinaj dhe e vetmja konstantë që e ka përcjellë punën e saj ka qenë qeverisja përmes skandaleve”, ka thënë nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.
“Kanë qenë skandalet e njëpasnjëshme që e kanë bërë qeverinë lajm ditor kurse numërimi i skandaleve si sport i preferuar i ne të tjerëve”
“Ka të tillë që kanë arritur të numërojnë edhe më shumë se 100 skandale për vetëm 400 ditë por pa pretenduar se kanë futur të gjitha. Dhe duke ditur se si skandal i referohemi vetëm një procesi apo vendimi të bërë publik”.
Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se në adresimin e sotëm kanë vënë fokusin në aspektin buxhetor, duke deklaruar se qeveria Haradinaj me vendimet e saj “e ka degraduar ekonominë e shtetit, ka dëmtuar konkurrencën e lirë në treg, si dhe ka shkelur legjislacionin vendor dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit si dhe ka rrezikuar stabilizimin buxhetor të shtetit”.
“Kjo qeveri ka marrë aq shumë vendime të dëmshme dhe skandaloze saqë deklarimi i kryeministrit se zgjohet në ora 06:00 për të marrë vendime për qytetarët më shumë se si zotim do të duhej të trajtohej si për ekonominë dhe stabilitetin buxhetor të Kosovës”.
“Përmes një kontrate të vetme me Contour Global qeveria ka arritur të prodhojë disa skandale njëherësh".
”Shkatërrimi I konkurrencës përmes garantimit të çmimit të subvencionuar në mënyrë selektive vetëm për një prodhues, shkeljen e marrëveshjes së stabilizim-asocimit duke ofruar ndihmë shtetërore, dëmtimi i pronës publike, duke e vendosur KEK-un në një situatë të rrezikimit të falimentimit, si dhe garantimin e shitjes së gjithë prodhimit me çmim dukshëm më të lartë se ai aktual duke e rritur faturën e qytetarit në rreth 250 milionë euro për secilin vit në 20 vjetët e ardhshme” shtoi mes tjerash ai
Bislimi e quajti skandaloz edhe vendimin për zhvendosje të banorëve të Shipitullës, duke pohuar se kjo ka nxjerrë në pah “dy instrumentet kryesore” të qeverisë: buxhetin dhe punësimet e kundërligjshme.
Ai mes tjerash e përmendi edhe rastin e pensioneve të veteranëve por edhe vendimin e qeverisë për t’ia paguar 53 milionë Bechtel&Enka duke e vlerësuar si të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me palët e vështira.