Lajmet e fundit

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar dy ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës, si kundërshtim ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili kërkoi rinumërimin e tërësishëm të votave për Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.
Sipas zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, vendimi i PZAP-it është i jashtëligjshëm dhe i dëmshëm për procesin zgjedhor. Për këtë arsye, ata kërkojnë anulimin e këtij vendimi.
Pas dorëzimit të ankesës, Dardan Sejdiu, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i PZAP-it është i motivuar politikisht.
“Nga gjykata presim vendim të drejtë. Ne nuk do të pranojmë asnjë rezultat i cili vjen si pasojë e këtij lloji manipulimi me sistemin e drejtësisë dhe me votën e qytetarit”.
“Lëvizja Vetëvendosje thotë qartë dhe drejtë se nuk ka pasur proces më të mirë zgjedhor se procesi i datës 19 tetor”.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të enjten ka marrë vendim për rinumërim të votave, pas një ankesë që ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës që të bëhet rinumërimi i gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës, për shkak siç është thënë, numrit të madh të votave të pavlefshme dhe fletëvotimeve të zbrazëta.
Në garë për kryetar të Prishtinës, janë Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në bazë të rezultateve preliminare, por të cilat pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk do të vlejnë më, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti printe me vota në Prishtinë, me një epërsi jo të madhe.
Edhe në Komunën e Prizrenit, epërsia e kandidatit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka ishte e vogël në garën për kryetar me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar votat më kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e përmes postës, në disa komuna.