Lajmet e fundit

I pari i Prishtinës, njëherit edhe kandidat për deputet nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë që në planin e kësaj partie parashohin taksat progresive, kjo ngaqë hendeku në mes të pasurve dhe të varfërve është tejet i theksuar në Kosovë.
“Parashohim largimin e TVSH-së në produkte bazike, vaj, miell, sheqer, bukë dhe libra, ndërsa të shtohet për disa shpenzime që ne i konsiderojmë të luksit. Ne duam të lehtësojmë për të varfrit dhe të shtojmë pak obligimin ndaj shtetit për të pasurit” ka thënë Shpend Ahmeti, në një intervistë në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës.
Tutje Ahmeti ka thënë që parashohin një ligj të veçantë për mbrojtjen e produkteve vendore, duke thënë që Vetëvendosje ka bërë më shumë se sa vetë qeveria për identifikimin e produkteve vendore.
“Ne jemi edhe për ligjin e prodhimeve vendore, p.sh një numër dhe një përqindje e rafteve nëpër markete të jenë me produkte vendore. VV-ja ka bërë më shumë për identifikimin e prodhimeve vendore se sa vetë qeveria. Ne kemi një qeveri që në takime zyrtare merr ujë të prodhuesve të shteteve të tjera, nëpër spitale dhe institucione. Mendoj që këto janë gjerat më bazike që një qeveri, e cila është e interesuar të rrisë prodhimin vendor, duhet të bëj” ka thënë Shpend Ahmeti.
Sa i përket ekonomisë së tregut Ahmeti ka thënë që Vetëvendosje e përkrah këtë, megjithatë duhet të ketë intervenim të shtetit së paku për mbrojtjen e produkteve vendore.
Ai gjithashtu ka shtuar që përmes fuqizimit të prodhimit vendor, korporatave publike dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, do të krijohen vende të punës, që do të zbusin papunësinë.