Lajmet e fundit

Qendra e Lëvizjes vetëvendsoje në Pejë përmes një kumtese për media ka njoftuar se po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga vërshimet në qytetin e Pejës.
"Përveç degradimeve të vazhdueshme që ky pushtet po i bënë qytetit tonë në ekonomi, në shëndetësi, në arsim e secilin segment shoqëror, sot qyteti u përmbyt edhe nga shiu si pasojë e keqmenaxhimit të kanaleve të ujerave, e në veçanti të kanalit Qokulica".
"Qeverisja e Komunës së Pejës nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta parandaluar këtë problem që e shoqëron qytetin e Pejës gjithmonë në kohë shirash, madje edhe sot kur vërshimet kanë ndodhur reagimi i tyre ishte i vonuar dhe qytetarët u vetorganizuan për tu përballur me vërshime".
"Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri dhe drejtorët komunal ditë më parë kanë deklaruar që problem i vjetër i qytetit të Pejës me vërshime është zgjidhur si rezultat i qeverisjes së tyre. Por përmbytjet nuk evitohen me deklarata".
"Si ka mundësi që për gjendjen e krijuar nga vërshimet në qytetin e Pejës, më pare të reagojë Komuna e Prishtinës, sesa qeverisja komunale e qytetit të Pejës?" thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë ka ftuar udhëheqësinë komunale që të solidarizohen me qytetarët dhe të ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes së krijuar nga këto vërshimet, transmeton Klan Kosova.