Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se tashmë po vërehet që Vetëvendosje është në momentumin e saj dhe fare lehtë mund të jetë partia e parë në Kosovë.
“Jemi strumbullari i forcave progresive të Kosovës. Ky fakt po njihet në vend, por edhe jashtë Kosovës”, ka deklaruar Ymeri në fjalën e tij në Këshillin e XXVI (26) të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosjes, njofton Klan Kosova.
“Lëvizja Vetëvendosje ka filluar të kuptohet drejt, në qasjen e vet dhe në programin e vet. Vetëvendosja ka gjasa të jetë subjekti i parë politikë në Republikën e Kosovës”.
Madje Ymeri ka bërë edhe një zotim para të pranishmëve në sallën në Prishtinë, por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Do ta vazhdojmë luftën për ta futur UÇK-në në Kushtetutën e Kosovës”, tha Ymeri, sepse, sipas tij, asnjë e keqe që po i ndodh tani Kosovës nuk do të lejohej në “Kosovën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Lideri i VV-së ka përmendur edhe njëherë se kryetari i Parlamentit dhe Partisë Demokratike të Kosovës i ka kërcënuar publikisht.
“Kadri Veseli na kërcënoi me fjalimin e famshëm të tij për vetëvrasje, ishte kërcënim me paramendim”.
Sipas Ymerit, kërcënime kanë ardhur edhe nga liderë të tjerë të vendit.
“(Hashim) Thaçi, (Kadri) Veseli dhe (Isa) Mustafa terrorizuan qytetarët e Kosovës me lloj-lloj kërcënimesh e shantazhesh, për të implementuar projektet e tyre”, tha Ymeri, por duke pretenduar se ishte pikërisht Vetëvendosje me pjesën tjetër të opozitës, që nuk lejoi jetësimin e atyre projekteve.
“Ndalja e ‘Zajednicës’ e ndali edhe dialogun, sepse vet dialogu bëhej për ‘Zajednicën’, s’kishte të bënte me normalizim marrëdhëniesh, por me normalizim të ‘Zajednicës’”.
Udhëheqësi politik i Vetëvendosjes ka folur edhe për arrestimet e aktivistëve nga Policia e Kosovës.
“Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje arrestohen vetëm se janë, për asgjë tjetër, ata janë të tillë çfare nuk i do regjimi, prandaj i mbanë në burg”.
Por kjo, sipas Ymerit, është shenjë se “regjimi Pronto është në panik”.
Gjithsesi, i pari i Vetëvendosjes ka siguruar të gjithë, simpatizantët dhe kundërshtarët se “rruga e Vetëvendosjes është e pandalshme”, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv