Lajmet e fundit

Pavarësisht se autoritetet kosovare kanë hartuar një plan për menaxhimin e ndonjë fluksi të mundshëm të refugjatëve nga Lindja e Mesme, deri më tani në Kosovë kanë ardhur vetëm 70 refugjatë, shumica nga Siria. Edhe këta imigrantë, vazhdojnë ta shfrytëzojnë Kosovën si trampolinë për të ikur në ndonjë shtetet evropian.
Sipas statistikave, Kosova ka vazhduar të mbetet burim i refugjatëve por jo edhe qendër për pranimin e tyre. Vetëm gjatë një viti në BE kanë emigruar 110 mijë kosovarë.
Po ashtu MPB-ja bën të ditur se nga 1 janari deri më tani janë riatdhesuar mbi 16 mijë kosovarë. Shumica nga të riatdhesuarit janë nga Gjermania 72 për qind, nga Austria 7 për qind, Zvicra 5 për qind, Suedia 5 për qind dhe vendet tjera, shkruan Zëri.
“Ndërkaq, nga 1 janari deri më tani në Kosovë kanë kërkuar azil 70 persona, shumica prej tyre nga Siria. Ata janë akomoduar në Qendrën për Azilkërkues në Magure e cila funksionon në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB. Azilkërkuesit nuk qëndrojnë gjatë në Kosovë, ata zakonisht e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit për të shkuar në vende të tjera dhe si rezultat i kësaj azilkërkuesit nuk e presin vendimin final për t’i dhënë mbrojtje të përkohshme apo statusin e refugjatit”, thonë zyrtarë të MPB-së.
Shkrimi i plotë në Zëri.