Lajmet e fundit

Kreu i Kuvendit tha se FSK-ja është shembulli më i mirë i funksionimit të këtij parterniteti.
Duke përgëzuar ushtarët e FSK-së dhe eprorët e saj, për punën e madhe dhe shumë profesionale që janë duke bërë, Veseli i cilësoi ata nderi bashkëkohor i Kosovës.
Ai tha se të rralla janë rastet që një ushtri në formim e sipër, të prezantohet kaq dinjitetshëm në botë, sikurse është FSK-ja, kuadrot e të cilës kanë shkëlqyer duke marrë medalje në garat ndërkombëtare më prestigjioze.
“Kjo flet për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe përvetësimit të standardeve më bashkëkohore të ushtrive më moderne të kohës sonë. Kjo flet se FSK-ja ka përmbushur të gjitha standardet e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër të saj: formalizimin në Ushtri të Kosovës. Ne para pak ditësh në Kuvendin e Kosovës miratuam tre ligjet e nevojshme për avancimin e këtij procesi dhe jemi të vendosur që të ecim përpara së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit shtoi se Kosova do ta ketë një ushtri dinjitoze, në shërbim të sigurisë nacionale, paqes dhe stabilitetit të rajonit dhe më gjerë, e cila do t’i bëjë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës, të të gjitha komuniteteve të saj.
Ai tha se transformimi i FSK-së në Ushtri është proces i pandalshëm, i domosdoshëm dhe në interes të të gjithëve në Kosovë dhe në rajon.
“Transformimi i FSK-së në Ushtri e përmbyll ndërtimin e arkitekturës rajonale të sigurisë. E bën rajonin më stabil dhe më të gatshëm për në integrimet euro-atlantike dhe ndihmues në sfidat globale të sigurisë”, tha Veseli.
Duke komentuar zërat e fundit mbi kinse rrezikun e një destabilizimi të ri në Ballkan, Veseli tha se këto ide janë reminishenca të së kaluarës, e cila është mbyllur njëherë e përgjithmonë.
“E ardhmja e Ballkanit në BE nuk do të mund të shmanget nga askush. Është interesi dhe dëshira më e madhe e popujve dhe qytetarëve tanë. Është vizioni i forcave demokratike që nuk do të lejojnë të ndryshohet kursi properëndimor i rajonit tonë. Prandaj e them me bindje të plotë se Paqja demokratike në rajonin tonë nuk ka alternativë. Pikërisht ky koncept i paqes demokratike qëndron në themel të FSK-së dhe në themel të partneritetit të saj me ndërkombëtarët”, tha kryetari i Kuvendit.