Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka uruar 11 vjetorin e miratimit të Kushtetutës, për të cilën tha se është "dinjiteti i shtetit tonë".
Veseli përmes një shkrimi në Facebook tha se sundimi i ligjit është jetik dhe se duhet të shënohen sukseset e deritanishme por se duhet të punohet edhe më shumë.
"Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dinjiteti i shtetit tonë. Prandaj, duhet ta kemi të qartë se vetëm duke e respektuar këtë kushtetutë do ta respektojmë dinjitetin tonë. Sundimi i ligjit është parimi themelor pa të cilin nuk mund të ecim përpara në përmbushjen e vizionit që kemi për shtetin, e as ta mbajmë Kosovën si një vend të shpresës, të perspektivës për të rinjtë e saj dhe për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Sundimi i ligjit është substancë jetike e vetë qenies sonë si Komb. Kemi arritur suksese deri tani dhe mund t’i shënojmë ato me krenari, por, në rrethanat tona, duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më drejt se çdo shtet tjetër. Sepse, çmimi që dhamë dje dhe synimi që kemi sot janë të mjaftueshme për ta kërkuar këtë. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka vetëm një titullar: popullin e saj. Kjo është fryma e kushtetutës sonë. Është vetë e ardhmja jonë. Urime 11 vjetori i miratimit të Kushtetutës".