Lajmet e fundit

Kryeparlamentari I Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim menaxhmentin e gjigantit metalurgjik Trepça, pas regjistrimit të kompanisë si shoqëri aksionare, që u bë e mundur pas miratimit të ligjit dhe statutit nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se minatorët, menaxhmenti dhe anëtarët e bordit e kanë pritur që dy dekada këtë lajm, njofton Klan Kosova.
Sipas tij, shndërrimi i Trepçës në shoqëri aksionare është një hap i madh drejt rigjallërimit të plotë të potencialit të saj.
“Me Ligj e me Statut të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tashmë Trepça është regjistruar si shoqëri aksionare. Minatorët, menaxhmenti dhe anëtarët e bordit e kanë pritur që dy dekada këtë lajm. Trepça ka qenë dhe do të mbetet e Kosovës përgjithmonë. Shndërrimi në shoqëri aksionare është një hap i madh drejt rigjallërimit të plotë të potencialit të saj. Urime minatorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës!”, ka shkruar Veseli.