Lajmet e fundit

Sot, në ditën e dytë të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, një pritje të veçantë për ta rezervoi kryekuvendari Kadri Veseli.
Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, Veseli takoi rreth 200 mërgimtarë dhe mbajti një fjalë mirëseardhjeje.
Në adresimin e tij para bashkatdhetarëve, kryetari i Kuvendit ua atribuoi atyre meritën pse Kuvendi i Kosovës sot bart këtë emër.
Duke e konsideruar ditën e sotme të veçantë për të, ai tha se këto ditë vere janë të veçanta edhe për atdheun, kur ai ripërtërihet dhe rizbulon lidhjen e tij të fuqishme me bijtë dhe bijat e tij, që jetojnë dhe punojnë gjithandej botës.
Kryekuvendari tha se mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun e dashur, Kosovën. Gjurmët e duarve të saj, shtoi kryetari, janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
“Shërbimet që shteti duhet t’i kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur. Shpesh herë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por shpeshherë edhe për shkak të neglizhencës burokratike”, tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se i duhet dhënë fund epokës së mërgatës pa shtet.
“Kjo nuk është vetëm borxhi historik që ky shtet ka ndaj mërgatës, por edhe një investim në të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë”, tha ai.
Në vazhdim, morën fjalën bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme, të cilët falenderuan nikqorin që hapi dyert e Kuvendit për ta, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër mjediset e legjislativit të vendit, transmeton Klan Kosova.