Lajmet e fundit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot të rinjtë ku ka thënë se rinia ka qenë prijëse e procese të mëdha në vend, e po ashtu ka qenë edhe shtylla kryesore e PDK-së në rrugëtimin e saj politik.
Veseli tha se Kosova ka shënuar të arritura në këto 10 vjet shtet, por shtoi se të rinjtë e këtij vendi meritojnë shumë më shumë.
“S’kemi pse turpërohemi para askujt. Por, as të kënaqemi. Kemi ende shumë për të bërë. Rinia jonë duhet të mendojë dhe të angazhohet në vendin e vet. Të ketë punë dhe të krijojë familje në vendin e vet. Këtë ende nuk e kemi arritur, ashtu siç do të dëshironim. Kjo është ajo që duhet ta bëjmë në Dekadën e Dytë të Pavarësisë, në Dekadën e Re të lirisë sonë, në Dekadën e Besimit, Zhvillimit dhe Integrimit”.
Duke përmendur Dekadën e Re, si moto të PDK-së, Veseli tha se ajo ngërthen në vetë shumë angazhime, njofton Klan Kosova.
“Dekada e Dytë e Pavarësisë së Kosovës do të jetë dekada e të rinjve. Dekada e lidershipit të tyre në sfidat e zhvillimit ekonomik, fuqizimit të demokracisë dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit euro-atlantik. Ky është koncepti dhe vizioni i ri i Partisë Demokratike për të rinjtë e Kosovës".
"Ne synojmë një qasje plotësisht të re në përfshirjen e të rinjve në politikë, duke ruajtur njëkohësisht traditën e mirë që kemi ndërtuar si parti në krijimin e hapësirës politike për angazhimin e të rinjve. Rinia do të jetë mekanizmi kryesor i ndryshimit të partisë dhe të vendit”.
Ai iu ka bërë thirrje të rinjve që të angazhohen për një proces transparent, por shumë më shumë, për të afruar në vizionin e PDK-së të rinj anembanë Kosovës.