Lajmet e fundit

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, në të cilin u diskutua lidhur me realizimin e planit të punës së Kuvendit për sesionin pranveror.
Pasi u fol për ecurinë e deritashme të shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve nga ana e komisioneve Veseli kërkoi nga drejtuesit e tyre angazhim më të madh të tyre dhe dinamizim të punës në shqyrtimin e projektligjeve, në mënyrë që brenda sesionit pranveror, Kuvendi të arrijë objektivat e veta konform agjendës legjislative.
Kryetarët e komisioneve e njoftuan Veselin me punën e deritashme të trupave parlamentarë që ata drejtojnë dhe njëherësh theksuan sfidat e problemet me të cilat përballen gjatë punës së tyre.
Takimi u përmbyll me nxjerrjen e një deklarate të përbashkët, nëpërmjet të cilës iu kërkua qeverisë procedimi sa më i shpejtë dhe konform strategjisë legjislative i projektligjeve, por njëkohësisht, potencohet edhe rëndësia e rritjes së iniciativave ligjore nga vet Kuvendi.