Lajmet e fundit

Kryekuvendari, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, për të diskutuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë në përmbushjen e obligimeve që ka Kosova para hyrjes në fuqi të heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.
Veseli tha se institucionet e Kosovës do t’i kryejnë të gjitha obligimet e nevojshme.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës do t`i përmbushë të gjitha obligimet kushtetuese në raport me procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimet evropiane, ndërsa po ashtu, ai tha se legjislativi do të kujdeset për mbikëqyrjen e zbatimit të plotë të kritereve nga ana e institucioneve të Kosovës.
Gjatë takimit, Apostolova e ka njoftuar Veselin për hapat e mëtutjeshëm që i pret Bashkimi Evropian që Kosova t`i ndjek që të arrihet në afatin sa më të shpejt heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Apostolova e përgëzoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës për ratifikimit e marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke e konsideruar këtë vendim një arritje të madhe për Kosovën dhe kërkoi që institucionet të fokusohen në forcimin e luftimit të krimit dhe korrupsionit, transmeton Klan Kosova.