Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim Sekretaren e Përgjithshme të Shërbimit Evropian, Helga Schmid.
Në këtë takim është biseduar për reformat e shumta që po bëhen në vend në shumë sektorë, e të cilat përshpejtojnë rrugën e Kosovës në integrimin evropian.
Veseli vlerësoi mbeshtetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë dhe po jep për Kosovën në shumë fusha, në veçanti për një funksionim me efikas të Kuvendit, njofton Klan Kosova.
Ai theksoi se dinamika e punës dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës do të rriten në vazhdimësi, si dhe shtoi se ka një përkushtim të theksuar për të ndërtuar një konsensus të plotë për shumë çështje të rëndësisë së veçantë për vendin.
Kryeparlamentari theksoi se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, duke shtuar se për këtë do të ketë angazhim maksimal dhe koordinim të plotë me Bashkimin Evropian.
Nga ana e saj, sekretarja Schmid vlerësoi punën e Kuvendit në miratimin e shumë reformave legjislative.
Ajo theksoi se BE-ja do të mbeshtesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit.
Zyrtarja e lartë evropianem para takimit me kryeparlamentarin Veseli ka takuar edhe të parin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.
Pas takimit me këtë të fundit, ajo në një prononcim për mediat ka përmendur edhe liberalizimin e vizave ku edhe njëherë ka përsëritur kushtet e Kosovës për liberalizim të vizave, që Kosova duhet të lëvizë përpara me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.