Lajmet e fundit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se plani ekonomik i koalicionit PDK-AAK-NISMA është rruga e vetme për fuqizimin e shtetit në këtë dimension.
Ai ka deklaruar se do të procedojë me kontratën për Kosovën e Re, projektin për Brezovicën dhe u ka bërë një premtim qytetarëve të Mitrovicës se do të investojë fuqishëm në zhvillimin e qytetit të ndarë, njofton Klan Kosova.
"Mitrovica nuk do të mbetet e izoluar. Nuk do të mbetet e pazhvilluar. Mitrovicasit janë njerëzit më punëtorë në republikë. Do të fuqizohet pjesa tek liqeni, tek Ibri, Shala".
"Do të nënshkruhet kontrata për Kosovën e Re. Pastaj do ta rivitalizojmë Kosovën B. Kështu do të punësojmë disa mijëra qytetarë. Nuk besoj që nënshkrimi i kontratës do të vonohet më shumë se dy muaj. Kosova nuk ka nevojë të importojë energji elektrike, por ta eksportojë atë".
"Projekti për Brezovicën nuk do të dështojë, sepse është në interes të të gjitha komuniteteve atje. Duhet të ristrukturohet investimi atje, pasi është një nga pjesët më të bukura të Ballkanit. Do të mundohemi që shpejt ajo të bëhet pjesë e zhvillimit strategjik të vendit". /klankosova.tv