Lajmet e fundit

Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit, do të ndërtojë një shtëpi për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lavdim Ademin, në fshatin Stantërg të Mitrovicës.
Shtëpia për familjen e Ademit i cili ka vdekur nga një sëmundje e rëndë para pak muajsh, do të ndërtohet me iniciativën e kryeparlamentarit dhe me vendimin e Kryesisë së Kuvendit.
"Jam sot këtu në familjen e juaj, pikërisht në Ditën e bamirësisë që Kuvendi e ka shpallur 5 Shtatorin. Ne si Kuvend, tanimë, kemi marrë vendim dhe jemi duke pritur që brenda pak ditësh edhe Komuna e Mitrovicës ta ndajë një parcelë dhe të fillojmë ndërtimin e shtëpisë para sezonit të dimrit. Këtë e kemi obligim ndaj fëmijëve të Lavdimit, ndërsa nuk do të ndalemi së ndihmuari edhe familjet tjera në nevojë", u ka thënë Veseli familjarëve të Lavdim Ademit, të cilët e kanë mirëpritur lajmin që do të bëhen me shtëpi të re.
Kurse, kryeparlamentari Veseli u ka premtuar dy fëmijëve të Lavdimit, Arianitit 11 vjeçar dhe Albanit 10 vjeçar, që kur të mbarojnë shkollën e mesme, do t’i ndihmojë me bursa për të vazhduar studimet universitare.