Lajmet e fundit

Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, kryeparlamentari Kadri Veseli, vizitoi vendlindjen e heroit të kombit, Isa Boletini në fshatin Boletin.
Gjatë vizitës atje, Veseli tha se është detyrim i çdo gjenerate, përulja dhe nderimi para varrit të këtij heroi, në shenjë mirënjohje për kontributin dhe përpjekjet e tij, luftarake dhe diplomatike, në mbrojtjen e interesave të atdheut, si dhe sakrificën sublime, deri në flijim për kombin e vet.
“Personaliteti i Isës ka reflektuar jo vetëm në Boletin, Mitrovicë e Kosovë, por në tërë trojet shqiptare, si një burrë i madh i kombit, që çështjen e atdheut dhe mbrojtjen e interesave të tij e vuri para çdo interesi tjetër”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Në shenjë nderimi për kontributin e Isa Boletinit për pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave nacionale, Veseli, simbolikisht vendosi një flamur kombëtar mbi varrin e këtij heroi.
Shefi i Kuvendit ishte edhe në Prekaz, ku bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe vendosi kurorë lulesh pranë varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
“Kam ardhur sot si kryetar i Kuvendit, të përulem para Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në këtë ditë të krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare”, theksoi ai, transmeton Klan Kosova.