Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Kadri Veseli, në takimin e parë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim, ka thënë se as shqiptarët e as serbët nuk duhet të mbesin peng i së kaluarës.
Veseli u shpreh se populli ynë ndonëse 18 vjet pas lufte, është duke e paguar shtrenjtë lirinë, njofton Klan Kosova.
Veseli ka folur edhe për heshtjen e shtetit serb për dhjetëra masakra të kryera në Kosovë e për të cilat ende askush nuk është dënuar.
“Janë mijëra viktima të pafajshme, ndërsa drejtësia për to ende nuk është vendosur. Janë me dhjetëra masakra, të kryera gjatë luftës, për të cilat askush nuk është dënuar. Fatkeqësisht as moralisht nga shteti serb. Ky shtet vazhdon të heshtë për këto masakra, pa hequr dorë nga propaganda e vjetër zyrtare që mohonte krimet e kryera në Kosovë nga ushtria dhe policia e Millosheviqit. Ata që i bënë këto krime vazhdojnë të jenë të lirë, duke pritur që koha t’i fshij dhe mbulojë me pluhurin e harresës dëshmitë e krimeve të tyre monstruoze”, tha Veseli.
Ai ka bërë thirrje që Institucionet e Kosovës të mos heshtin dhe të argumentojnë e zyrtarizojnë krimet e luftës, pasi sipas Veselit, historia e treguar pa dëshmi nuk i reziston kohës dhe as nuk i shërben vendosjes së drejtësisë.
“Prandaj ne si institucione shtetërore do t’i japim të gjithë ndihmën e nevojshme që ky komision, i cili po ngrihet, të ketë sukses të plotë në misionin e tij human të mbledhjes së fakteve e dëshmive për krimet e kryera. Si i tillë, ai nuk është zëvendësim i drejtësisë, por është në shërbim të saj. Dhe drejtësia është rruga e vetme për të lënë pas të kaluarën dhe arritur pajtimin. Nuk mund të ketë pajtim pa moralin e pranimit të përgjegjësisë. Nuk mund të ketë pajtim pa moralin e kërkimit të faljes”, u shpreh Veseli.