Lajmet e fundit

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Familjes. Për këtë ditë kryeparlamentari Kadri Veseli, ka postuar një fotografi në rrjetin social Facebook, njofton Klan Kosova.
Bashkë me foton ku shihet me familjen e tij, Veseli ka postuar edhe një shkrim ku thotë se "familja është bërthama kryesore e shoqërisë".
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Veselit:
"Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes! Familja është bërthama kryesore e shoqërisë që siguron formën më stabël të jetesës së përbashkët në një vend.
Është shkolla e parë për çdo qytetar dhe prindërit janë mësuesit tanë të parë e të pazëvendësueshëm që mundësojnë përcjelljen nga brezi në brez të vlerave, identitetit dhe edukatës morale.
Familjet u ofrojnë anëtarëve një mjedis të sigurt dhe të ngrohtë ku ata mund të përjetojnë përkushtim, dashuri, solidaritet dhe mbështetje ndërmjet brezave.
Familja është themeli kryesor i shoqërisë prandaj Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart rolin e familjes dhe angazhohet që ta mbështesë krijimin e familjeve të reja si dhe ta promovojë në publik domosdoshmërinë e mbajtjes së shëndoshë të familjes tradicionale në të ardhmen. Uroj që të jeni duke e kaluar këtë ditë fundjave në mesin e familjarëve tuaj me një atmosferë sa më të këndshme," ka shkruar ndër të tjera Veseli.