Lajmet e fundit

Kryekuvendari, Kadri Veseli priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, njëherësh deputet i Parlamentit, Boris Johnson, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Ata diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe, ndërsa në shenjë nderimi, shkëmbyen dhurata.
Fillimisht, duke përshëndetur dhe i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj mysafirit nga Britania e Madhe, shefi i Kuvendit tha se kjo vizitë është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira që janë ndërtuar midis dy vendeve, si dhe shprehje e përkushtimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për të ndihmuar Kosovën. Britania e Madhe, shtoi kryetari Veseli, ka qenë gjithmonë pranë Kosovës dhe emri i saj është i lidhur në mënyrë të pandashme me historinë e lirisë dhe pavarësisë sonë. Populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur, tha kryetari i Kuvendit, do t’i jenë gjithmonë mirënjohës këtij shteti mik.
“Ne sot në Kosovë, jemi duke ndërtuar një shtet dhe shoqëri, të frymëzuar nga vlerat themelore të shtetit dhe popullit britanik: demokracia liberale, ekonomia e tregut të lirë, shoqëria e hapur, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut. Të përkushtuar në këto vlera, ne jemi të vendosur të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me shtetin tuaj. Vizita juaj e sotme në Kosovë, mesazhet e saj, janë fuqizim domethënës i këtij bashkëpunimi”, theksoi Veseli.
Ndërkaq, ministri i jashtëm britanik, Boris Johnson, gjatë adresimit të tij në Kuvend, foli për sfidat e përbashkëta, siç është lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. '
Kryediplomati britanik foli edhe për rolin e Gjykatës Speciale, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes së Astrit Deharit, duke inkurajuar hulumtimin e pavarur të vdekjes së tij. Në përfundim të fjalës së tij, Johnson tha se Kosova ka shumë sfida para vetes, por u shpreh i sigurt se ajo do t’i tejkalojë ato, transmeton Klan Kosova.