Lajmet e fundit

Kryekuvendari Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i Rahovecit,Idriz Vehapi kanë përuruar sot objektin e ri të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Opterushë të Rahovecit.
Me këtë rast, numri një I arsimit në vend përgëzoi kreun e Rahovecit për ndërtimin e kësaj shkolle dhe tha se ky është model i mirë i kujdesit për banorët e këtij fshati, sepse sot po përurohet një shkollë moderne, një shkollë ku fëmijët do të marrin edukim cilësor.
Bajrami theksoi se MAShT do ta mbështetë Komunën e Rahovecit me shkolla tjera.
“Si Qeveri e Kosovës jemi të obliguar që të punojmë për juve, bashkë me juve, që të rinjve tanë t’ju krijojmë kushte që ata të edukohen në paqe, në liri, të krijojmë një gjeneratë, e cila nesër do të marrë përsipër edhe përparimin e përgjithshëm të shtetit tonë”, tha ministri Bajrami dhe uroi mësimdhënësit, prindërit e nxënësit për shkollën e re.
Ai përmendi faktin se po ndërtohen dhe tha se do të ndërtohen edhe shumë shkolla tjera, në mënyrë që fëmijve t’ju ofrohet një mësim cilësor. “Mendoj se ka një vullnet edhe të mësimdhënësve, edhe prindërve dhe nxënësve që ne mund të punojmë për të ndëruar një sistem cilësor të edukimit”, tha Ministri.
Ndërkaq, Veseli theksoi se kjo është një shkollë e bukur, dhe u zotua se do të vazhdohet gjithandej Kosovës që të gjitha shkollat të kenë objekte të tilla dhe mësimi të zhvillohet vetëm me një ndërrim, transmeton Klan Kosova.