Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Kadri Veseli deklaroi se marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të ratifikohet në seancën e sotme.
“Ka ardhur momenti të përfundojmë këtë dramë. Kjo dramë do të përfundojë sot, në orën 11:00 do të votojmë marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi” u shpreh Veseli pas takimit me Natalya Apostolovan.
Veseli vlerësoi se me ratifikimin e kësaj marrëveshje hapet perspektiva e Kosovës drejt BE-së, realizohet liberalizimi i vizave si dhe forcohet sovraniteti i vendit dhe partneriteti me BE-në.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, përderisa u bëri thirrje deputetëve që të votojnë demarkacionin, vlerësoi se kjo është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe se gjasat janë reale që të realizohet sot.
“Kjo është marrëveshja ndërkombëtare e parë që Kosova ka nevojë të ratifikojë në mënyrë që të tregohet partner kredibil, njëkohësisht është edhe një nga dy kushtet e fundit për liberalizimin e vizave” u shpreh Apastolova.
Ajo tha se kanë biseduar në detaje se cila do të jetë puna e asamblesë për javën dhe muajin tjetër në kohën kur do të publikohet raporti për Kosovën.