Lajmet e fundit

Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, të dielën me rastin e përvjetorit të 11 shtatorit, ditës kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmet terroriste në vitin 2001, do të organizojë Akademi përkujtimore në nderim të viktimave që humbën jetën gjatë sulmeve.
Zyra e kryekuvendarit, ka njoftuar se kjo akademi do të mbahet në Sallën e Kuqe në Prishtinë, raporton Klan Kosova.
Me 11 shtator të vitit 2001, dy qendra botërore tregtare të njohura si “Kullat Binjake”, u bënë shënjestra e sulmeve terroriste që u morën përsipër nga grupi Al Qaeda.
3000 viktimat e këtij sulmi i ka nderuar edhe Presidenti amerikan Barack Obama.
Në fjalën e tij drejtuar popullit amerikan, ai e ka vlerësuar lart trimërinë e të mbijetuarve dhe personelit të emergjencave që ka reaguar menjëherë pas sulmeve, dhe po ashtu ka falënderuar autoritetet amerikane të cilët që nga atëherë kanë punuar që ta mbajnë të sigurt shtetin.
“Në përballje me terrorizmin, ajo që ka rëndësi është mënyra se si ne reagojmë. Në situata të tilla s’mund të heqim dorë asnjëherë dhe s’duhet të ndahemi”.
“Qëllimi i sulmuesve ishte që t’i frikësonin amerikanët dhe të ndryshojnë mënyrën se si ne jetojmë”, ka thënë Obama, duke shtuar: “Amerikanët s’do t’i dorëzohen kurrë frikës”, shkruan Al Jazeera, transmeton Klan Kosova.