Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të Paktit Evropian për Rininë në Kosovë, një angazhim ky i përbashkët i biznesit dhe liderëve të Bashkimit Evropian, i cili bashkon përfaqësuesit e biznesit, arsimit, rinisë dhe institucioneve evropiane.
Kryeparlamentari Veseli tha se qëllimi i institucioneve në Kosovë është që të bashkërendojnë të gjitha politikat dhe veprimet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Një gjë është e qartë, vetëm sektori privat gjeneron rritje të qëndrueshme ekonomike. Vetëm shpirti i ndërmarrësish dhe inovacionit sjellin shpresa zhvillimi”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Veseli theksoi se përgjegjësia korporatave është një model i zhvillimit të qëndrueshëm, në kuadër të të cilit Pakti për Rininë, i cili do të nënshkruhet nga korporatat më të mëdha në Kosovë, është iniciativa të cilën shoqëria kosovare duhet ta kthejë në prioritet.
Rinia, shtoi kryetari Veseli, mund të shfrytëzohet si mjet për destabilizim, apo mund të shndërrohet në burim të zhvillimit.
“Ne e kemi obligim ta bëjmë rininë tonë burim shtytës të zhvillimit. Kuvendi i Republikës së Kosovës është i gatshëm që të ofrojë të gjithë bazën ligjore, e cila stimulon investimet dhe iniciativat zhvillimore”.
Ai shtoi se duke investuar në rininë, garantohet e ardhme e sigurt e vendit tonë.
“Duke investuar në rininë, ne aftësojmë popullatën tonë të re që të bëhet pjesë e trendëve të globalizimit, tregut ndërkombëtar të punës dhe kjo sjell zhvillim të sigurt”.