Lajmet e fundit

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorin e sapoemëruar të Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në angazhimin e tij diplomatik.
Ai çmoi lart kontributin e Italisë në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, ndërsa shfaqi besimin se bashkëpunimi dhe përkrahja italiane ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Shefi i Kuvendit theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve mike në shumë segmente me interes reciprok, ndërsa potencoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar angazhimet në arritjen e aspiratave integruese euro-atlantike dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Ndërkaq, ambasadori italian, Piero Cristoforo Sardi, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë që do të drejtojë misionin diplomatik të Italisë në Kosovë, duke shfaqur shpresën që bashkëpunimi i konsoliduar midis Romës dhe Prishtinës zyrtare, do të forcohet dhe zgjerohet edhe më tej.
Ai konfirmoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit italian për Kosovën, si në aspekte të zhvillimit të brendshëm, ashtu edhe në integrimet euroatlantike, transmeton Klan Kosova.