Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Belgjikës, Siegfried Bracke, dhe kryetarin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Dirk Van der Maelen.
Veseli edhe në këtë takim theksoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave.
Poashtu ai theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Belgjikës në gjitha sferat me theks të veçantë në ekonomi.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit belg, Siegfried Bracke dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i kësaj Dhome, Dirk Van der Maelen, konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tyre për Kosovën edhe në të ardhmen, si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme.
I pari i Kuvendit tha se
“Pas takimeve se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që në mesin e Bashkimit Evropian Kosova ka miq të mëdhenj. Ai tha se vizitat e tij nëpër këto vende kanë të bëjnë me përçimin e zërit të Kosovës te lidershipet e tyre dhe konfirmimin e vizionit të saj të palëkundur euro-atlantik, me kërkesën për hapa më të shpejtë në këtë rrugëtim, veçanërisht për procesin në pritje, liberalizimin e vizave”.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit përsëriti deklaratat e përfaqësueses për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, se ajo do t’i qëndrojë në krah qytetarëve të Kosovës, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës përcjellë Klan Kosova.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, vendet që ne kemi vizituar, në shumicën e rasteve kanë vlerësim shumë pozitiv. Janë pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të cilat janë problematike në arritjen e konsensusit brenda Këshillit të Ministrave. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur qëndrimin pro liberalizimit të vizave. Në të gjitha takimet kam kërkuar që kjo çështje të hidhet në votim, ngase i kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të zvarritet”.