Lajmet e fundit

Me rastin e përmbylljes njëvjeçare të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari Kadri Veseli ka organizuar sot pritje për të gjithë gazetarët, xhiruesit dhe fotoreporterët e akredituar në Kuvendin e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Shefi i Kuvendit falënderoi të gjithë përfaqësuesit medialë dhe ata të shoqërisë civile për punën e tyre të vështirë e të palodhshme në mbulimin korrekt të aktiviteteve të Kuvendit, në funksion të informimit të publikut me punën e institucioneve, përkatësisht përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.
Në fjalën e tij para të pranishmëve , Veseli e konsideroi vitin 2015 një vit i vështirë, si për funksionarët institucionalë, ashtu edhe për përfaqësuesit e mediave.
Ai falënderoi të pranishmit për përkushtimin e dëshmuar si media të lira dhe raportimin korrekt mbi zhvillimet në vend.
"Duke lënë anash të gjitha mospajtimet politike në mes pozitës dhe opozitës, duhet të pranojmë se këtë vit, Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor"
" Duhet të jemi realistë, këtë test, ende nuk e kemi kaluar. Kuvendi i Kosovës u ballafaqua me një situatë të paprecedent, jo vetëm për parlamentarizmin tonë, por edhe më gjerë", theksoi ai, ndërsa shtoi se pengimi i punës së Kuvendit me veprime jo parlamentare, ka shkaktuar dëme në shumë drejtime: është dëmtuar demokracia parlamentare e Kosovës, ende e brishtë, është dëmtuar imazhi i Kosovës te partnerët ndërkombëtarë dhe te qytetarët, me praktikën e thyerjes së ligjeve pikërisht në vendin ku miratohen ligjet.
Kreu i Kuvendit tha se është humbur kohë dhe energji në një agjendë tërësisht negative dhe depresive, duke lënë anash interesin më primar të qytetarëve të Kosovës - zhvillimin ekonomik, duke lëkundur, në të njëjtën kohë, partneritetin me miqtë dhe mbështetësit e shtetit tonë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.
"Është e qartë, se në vitin që po vjen, duhet të bëjmë, saktësisht, të kundërtën e këtij bilanci negativ. Pra, jo bllokadë e pozicione rigjide, por dialog në mes pozitës dhe opozitës, për të gjitha shqetësimet e ngritura, dilemat dhe dyshimet.
"Jo argumente të forcës fizike, por fuqi të argumenteve politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo qëndrime arrogante karshi partnerëve ndërkombëtarë, por thellim i partneritetit me ta", tha kryeparlamentari Veseli.
Duke folur për raportet e Kuvendit me mediat dhe publikun në përgjithësi, Veseli theksoi se që në fillim të punës së tij si kryetar i Kuvendit, është udhëhequr nga platforma e transparencës parlamentare.
Në këtë solemnitet, në emër të komunitetit të gazetarëve, foli kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ndërsa nga shoqëria civile, përfaqësuesi i KDI-së, Albert Krasniqi. Shabani dhe Krasniqi çmuan bashkëpunimin midis gazetarëve dhe shoqërisë civile në njërën anë, dhe Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër,, transmeton Klan Kosova.