Lajmet e fundit

Rikthimi i reshjeve në Shqipëri është shoqëruar sërish me përmbytje dhe problematika në qarkullimin rrugor në disa qytete të vendit.
Në Durrës, Berat, Vlorë e Fier, uji ka mbuluar rrugët kryesore, ndërkohë që dje për disa orë u pezullua puna në port dhe nuk u lejuan të dalin në det anijet e peshkimit.
Në Durrës, në disa rrugë, ka pasur vështirësi në qarkullim të këmbësorëve dhe automjeteve, për shkak të prezencës së ujit, raporton shekulli. Përmbytja është kthyer në një problem shqetësues të vazhdueshëm, si për këmbësorët ashtu dhe për drejtuesit e automjeteve, ku këta të fundit shkaktojnë edhe trafik të rënduar.
Në port u pezullua për disa orë aktiviteti i peshkimit dhe sektori i ngarkim-shkarkimit. Reshjet e dendura të shiut shkaktuan rrëshqitjen e dherave në Kodrën e Currilave, duke bllokuar dhe kalimin e këmbësorëve dhe të automjeteve.
Në Berat kanë mjaftuar pak minuta shi që rrugët e qytetit të mbushen me ujë, në disa raste duke mbuluar dhe trotuaret. Pusetat në anë të rrugës janë bllokuar pasi e kanë pasur të pamundur shkarkimin e sasisë së madhe të ujit. Si pasojë e motit të keq trageti i linjës Vlorë-Brindizi nuk ka mundur të ankorohet në qytetin bregdetar, ndërsa nuk janë lejuar të dalin në det as anijet e peshkimit. Problematik prej ditësh ka qenë edhe aksi rrugor Has-Tropojë.