Lajmet e fundit

Qeveria e Kosovës e ka ngritur nivelin e gatishmërisë me rastin e vërshimeve të shumta që ndodhën si pasojë e reshjeve që ranë mbi Kosovë gjatë së enjtes.
Si rezultat, dy komuna Skenderaj dhe Mitrovica shpallën Gjendje Emergjente.
Njoftimi i ekzekutivit bën të ditur se po monitorohet vazhdimisht situata në terren..
“Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar në Emergjenca, është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave. Forca e Sigurisë së Kosovës, është në dispozicion me të gjitha kapacitetet, që të realizojë detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim. Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, thuhet në njoftimin e qeverisë përcjell Klankosova.tv