Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, priti në takim njoftues ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Në këtë takim, Veliu e njoftoi Heldt për prioritetet e Ministrisë gjatë këtij mandati, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe organizata tjera, liberalizimin e vizave dhe të gjitha proceset tjera që janë të rëndësishme për Kosovën.
Ministri po ashtu e falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e madhe që i ka dhënë Gjermania Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese.
Veliu e theksoi edhe rëndësinë e madhe që Kosova dhe Gjermania të thellojnë bashkëpunimin e tyre në luftën kundër çdo krimi në Kosovë, përfshirë krimet ekonomike, luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Ai vlerësoi se është lajm tejet i rëndësishëm për hapat që do të ndërmerren në njohjen e patent shoferëve për të gjithë qytetarët e Kosovës në Gjermani dhe shtetet tjera në zonën Shengen.
Ndërkaq, ambasadori Heldt fillimisht i uroi detyrën e re ministrit Veliu dhe theksoi se shteti i tij do të vazhdojë të mbetet një prej mbështetësve kryesorë në vazhdimin e forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.