Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka qenë për një vizitë në Lozanë, ku ndodhet qendra botërore e Komitetit Olimpik dhe 55 federatave botërore të sportit.
Ai ishte i ftuar nga homologu i tij, Gregoire Junod, me qëllim rritjen e shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Gjatë takimit me homologun e tij në Lozanë, Veliaj tha se Tirana synon të kthehet në një qendër rajonale të Ballkanit, shkruan Top Channel.
“Duam ta kthejmë Tiranën në një qendër rajonale të Ballkanit, ku shumë prej korporatave dhe institucioneve ndërkombëtare të sjellin selitë e tyre. Më vjen mirë që kemi hedhur disa hapa konkrete në bashkëpunimin me qytetin e Lozanës sepse duam të mësojmë nga më të mirët, sidomos në fushën e aktiviteteve sportive”, tha Veliaj.
Dy homologët diskutuan rreth bashkëpunimit për të hartuar një projekt të sportit në komunitet dhe për të inkurajuar shumë prej të rinjve në Tiranë, që në vend të kafeneve dhe të lojërave të fatit, të merren me aktivitete sportive.
“Lozana është shtëpia e sportit botëror, jo vetëm e komunitetit olimpik, por këtu ka rreth 55 federata. Lozana ka adoptuar fare mirë shumë prej praktikave të sportit në komunitet, për ta kultivuar atë edhe nëpër lagje, sidomos tek të rinjtë. Ky është shembulli që duhet të ndjekë edhe Tirana”.
Kryetari i Bashkisë së Lozanës, Grégoire Junod, u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim konkret me Tiranën, jo vetëm në fushën sportive, por edhe në çështjet kulturore.