Lajmet e fundit

Që në orët e para të ditës së hënë, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” gjithë ushtrinë e operatorëve të pastrimit të Tiranës, dhe gjithë kapacitetet njerëzore dhe teknologjike të tyre, ku dhe ka shpallur atë që ai e quajti si “luftën kundër zhulit”.
“Duhet t'i shpallim një luftë gjithë plehrave dhe papastërtisë në Tiranë. Lufta në këtë rast nuk bëhet me tanke dhe me blinda por me punë nga secili prej jush”, - tha Veliaj.
Ai gjithashtu i la 4 muaj afat të gjitha kompanive të pastrimit, për të vlerësuar në bazë të rezultateve që do arrijnë në drejtim të pastrimit të Tiranës, nëse do të vazhdojnë apo jo kontratat e lidhura nga bashkia e mëparshme.
“Bashkia do të kryejë në çdo lagje sondazhet e veta duke pyetur qytetarët nëse janë të kënaqur nga shërbimi i ofruar në pastrim apo jo. Ja u bëra me dije firmave të pastrimit që tani do vendosin qytetarët për pastrimin dhe jo kryetarët e bashkisë. Nëse qytetarët e një lagjeje japin notë të mirë për pastrimin do vazhdojmë bashkëpunimin me kompaninë, në të kundërt kontrata jonë nuk do vazhdojë. Prandaj ju thashë që tani që është fillim gushti dhe keni kohë deri në dhjetor. Nëse kjo nuk ndodh unë i pari do të iki. Nuk dua që asnjë prej jush të humbasë kontratën në dhjetor por kjo varet nga ju”, - tha Veliaj./Shekulli.al