Lajmet e fundit

Një rezultat interesant ka prodhuar edhe vota për partitë në Bashkinë e re të Tiranës. Raportet mes dy koalicioneve që ekzistojnë në rang kombëtar janë reflektuar edhe në këtë bashki.
Kështu, nga numërimi i 825 kutive ose 95 për qind e numrit të total të tyre, koalicioni i majtë ka siguruar 190 mijë vota kundrejt 86 mijë votave që ka marrë e djathta. Por më shumë sesa raporti i votave mes së majtës dhe së djathtës, ky rezultat tregon edhe një element shumë të rëndësishëm, që vërteton se koalicioni i majtë nuk ka funksionuar as në zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Kjo pasi deri kur janë numëruar 95 për qind e kutive, koalicioni i majtë rrezulton të ketë marrë 30 mijë vota më shumë sesa mori kandidati i këtij koalicioni për kryetar bashkie, Erion Veliaj. Kështu, Veliaj mori 160 mijë vota, ndërsa koalicioni deri dje në mesnatë rezultonte të kishte 190 mijë vota, shifër kjo që ka tendencën për të shkuar deri në 200 mijë. Pra, mes kandidatit dhe koalicionit ka një diferencë të madhe që varion nga 30 deri në 40 mijë vota, transmeton Mapo.
Një rezultat ky që ngre pikëpyetjen se cilët prej aleatëve apo edhe socialistëve nuk e votoi kandidatin e koalicionit, Erion Veliaj. Por jo vetëm kaq, pasi rezultatet që kanë prodhuar 825 kutitë e numëruara kanë nxjerrë në pah faktin se kundërshtari i Veliajt në këtë garë, kandidati i opozitës, Halim Kosova ka marrë 30 mijë vota më shumë sesa vetë koalicioni që e propozoi. Pra, nga kjo rezulton se Halimin e kanë votuar në një masë të madhe parti të koalicionit të majtë.
Janë numëruar 830 kuti nga 864, ose 95 për qind
Koalicioni i majtë, 190 045 mijë vota
PS 104578 vota – 36.7 %
LSI 52461 vota – 18.45 %
PDIU 11064 vota – 3.97 %
FRD 5483 vota – 1.97 %
PDS 1358 vota – 0.50 %
Koalicioni i djathtë, 87 232 vota
PD 74329 vota – 26.19 %
PR 4222 vota – 1.51 %
LZHK 3018 vota – 1.08 %